Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorit Adnan Xholi dhe vendosi kalimin për gjykim të çështjes në ngarkim të Amar Shkëmbit dhe Bledar Polivina, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja në mbikalimin e Shkozetit.
Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca, teksa në ditët në vijim do hidhet shorti për të përcaktuar treshen e gjyqtarëve që do shqyrtojë dosjen penale në themel.
Amar Shkëmbi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për këtë ngjarje, ndërsa u ekstradua nga Dubai në Tiranë në tetor të vitit të kaluar për llogari të autoriteteve shqiptare.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se Shkëmbi, së bashku me Bledar Polovina, Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, dhe Ariol Halilaj kanë vepruar në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, duke kryer veprat penale të “Vjedhjes” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtjes pa lejë të armëve”, “Vrasjen e funksionarëve publikë” mbetur në tentativë, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepra këto të kryera në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” në ngjarjen e regjistruar në 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku dhe i plagosur Arjan Ndoja si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me emrin “Rrumi i Shijakut”.
Në të njëjtën çështje penale janë edhe të pandehurit Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhia dhe Julian Pjetri.
