Familja e viktimave tha se, pavarësisht dhimbjes së madhe, ndihet krenare për guximin e tyre. “Boris dhe Sofia vepruan instinktivisht për të ndihmuar të tjerët. Kjo ishte ajo që ata ishin,” thuhet në deklaratë.
Çifti, që ishte i besimit hebre dhe kishte qenë i martuar prej 34 vitesh, ishin dy viktimat e para të sulmit të ndodhur gjatë festimeve të Hanukkah. Dëshmitarët e kanë përshkruar Boris Gurman si “hero”, duke theksuar se ai nuk u largua, por u përball drejtpërdrejt me rrezikun.
Sulmi terrorist në Bondi Beach i mori jetën të paktën 15 personave, mes tyre një vajzë 10-vjeçare, një rabin me origjinë britanike, një ish-polic dhe një i mbijetuar i Holokaustit. Mosha e viktimave varion nga 10 deri në 87 vjeç.
Ndërkohë, 22 persona vijojnë të jenë të shtruar në spital, nëntë prej tyre në gjendje kritike. Policia australiane e ka cilësuar sulmin si akt terrorist me shënjestër komunitetin hebre.
Hero tjetër i sulmit është edhe Ahmed Al-Ahmed, 43 vjeç, i cili gjithashtu u përlesh me një nga sulmuesit dhe u qëllua disa herë. Ai ndodhet në spital pas ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa familja e tij ka bërë të ditur se veproi i shtyrë nga ndërgjegjja dhe humanizmi.
