
Hetimet zbulojnë se 30-vjeçari i plagosur nuk ishte objektivi i sulmit, ndërsa po rindërtohen lëvizjet e autorëve në fshatin Rrilë
Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në disa banesa gjatë mbrëmjes së së dielës, pas atentatit me armë zjarri ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci në fshatin Rrilë. Burime zyrtare bëjnë me dije se në kuadër të hetimeve janë shoqëruar edhe disa persona për t’u marrë në pyetje.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një berberhaneje, ku sipas informacioneve paraprake autorët kanë qëlluar nga jashtë drejt lokalit. Personi që ka shkëmbyer zjarr me autorët nga brenda ambientit rezulton të ketë qenë një punonjës policie, i cili në dëshminë e dhënë ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me asnjë person.
Sipas grupit hetimor, 30-vjeçari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim në spitalin e Traumës. Hetimet kanë ngritur dyshime se ai nuk ka qenë shënjestra e atentatit, por një prej katër personave që ndodheshin në lokal në momentin e sulmit.
Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se autorët kanë qenë tre persona që kanë mbërritur në Rrilë me një automjet tip Audi. Pasi kanë zbritur nga mjeti, ata kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin me tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se nga të shtënat mund të jetë lënduar edhe një anëtar i familjes Nikulaj, por deri në këto momente nuk është paraqitur asnjë person tjetër i plagosur në spital. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te konfliktet e mëparshme në zonë, ku kujtohet se në prill të vitit 2023 u vra Ardian Nikulaj në hotelin e tij në Shëngjin, një ngjarje që lidhet me hasmëri të vjetra.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po analizohen lëvizjet e tyre para dhe pas atentatit, si edhe kamerat e sigurisë në zonë.
