
45-vjeçari u qëllua në këmbë pranë stadiumit, ndërsa autorët dyshohet se dogjën makinën në arrati
Detaje të reja janë zbuluar nga të shtënat me armë të ndodhura këtë mëngjes në Lushnjë, ku shënjestër e atentatit rezulton të ketë qenë 45-vjeçari Julian Sula, i njohur për konfliktet e tij të hershme me grupin e Aldo Bares. Sula, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e nipit të Bares, është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 10:40 pranë stadiumit të qytetit, ku persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj tij. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Lushnjës për të ndjekur lëvizjet e autorëve.
Pak minuta pas sulmit, në afërsi të fshatit Lifaj u gjet duke u djegur një automjet, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja. Mjeti është sekuestruar për ekspertizë, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e ADN-së dhe gjurmëve të tjera të mundshme.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po heton disa pista të mundshme, me theks të veçantë te konfliktet e vjetra ndërmjet bandave të njohura të zonës.
