
Djegia e automjetit në vendlindjen e Emiljano Shullazit po interpretohet si sinjal i drejtpërdrejtë për bosin e bandës, ndërsa pista e hakmarrjeve të vjetra dhe luftërave mes grupeve kriminale po forcohet.
Detaje të reja po dalin në dritë mbi atentatin mafioz të ndodhur pranë Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Mustafa Shaljani. Sipas burimeve të përfshira në hetim, grupi i armatosur që kreu sulmin ka djegur automjetin e përdorur në fshatin e lindjes së Emiljano Shullazit, një veprim që gazetarja Klodiana Lala e cilëson si mesazh të drejtpërdrejtë për ish-kreun e bandës.
Lala deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se vendi ku u shkatërrua mjeti nuk është rastësor dhe përforcon dyshimet se atentati ishte një sfidë e hapur ndaj Shullazit, me të cilin Dani njihej prej vitesh si krahu i djathtë. Ajo shtoi se grupet rivale mund të kenë synuar të lënë një shenjë të qartë mbi motivin dhe drejtimin e goditjes.
Sipas gazetares, në zonën e Shullazit është parë gjithashtu Aldo Avdyli, figurë e njohur e botës së krimit dhe dikur armik i betuar i tij. Pavarësisht deklarimeve zyrtare se nuk ka konflikt, Lala kujtoi se Shullazi historikisht është konsideruar figurë tepër e rrezikshme nga kundërshtarët, veçanërisht pas dëshmive të Enver Stafukës, të dhëna, sipas saj, nën presion dhe dhunë – përpara se ky i fundit të zhdukej.
Pyetja kryesore, sipas saj, është: pse tani? Dani kishte një vit që ishte liruar nga burgu, ndaj koha e atentatit të ngre dyshime për hakmarrje të vonuar ose konflikte të reja të hapura mes grupeve kriminale.
Lala u shpreh se çelësi i kësaj historie është vetë Emiljano Shullazi, duke shtuar se ai mund të ketë informacion të drejtpërdrejtë për atentatin, pasi vetë Gilmando Dani ishte paralajmëruar më herët për rrezikun përmes njerëzve të besuar të Shullazit.
Hetimet po vijojnë me intensitet, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar pamjet e sigurisë së aeroportit dhe besojnë se atentati është kryer nga një grup prej të paktën gjashtë personash, të organizuar dhe të armatosur mirë.
Ngjarja ka rikthyer në fokus luftërat e nëndheshme të krimit të organizuar shqiptar, ndërsa policia heton pistën e hakmarrjeve të vjetra dhe të çarjeve të reja mes grupeve rivale.
