
Autorët kanë ndjekur objektivin për disa kilometra dhe janë larguar me makinë me targa greke; policia ngrit postblloqe në disa akse
Një atentat me armë zjarri është regjistruar sot në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, ku një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë. Viktima është identifikuar si krahu i djathtë dhe njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit, një emër i njohur i botës së krimit.
Sipas informacioneve të para, persona të maskuar që udhëtonin me një automjet tip “Toyota” gri, me targa greke, kanë hapur zjarr ndaj një automjeti tip “Mercedes Benz” në lëvizje. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës.
Burime nga terreni bëjnë të ditur se atentatorët kanë ndjekur objektivin për rreth 3 kilometra, duke zgjedhur momentin kur mjeti i viktimës ishte në qarkullim të ngadaltë për të qëlluar në mënyrë të befasishme.
Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihen forca të shumta policie që rrethojnë automjetin, ndërsa efektivët thyejnë xhamin e përparmë për të nxjerrë trupin e viktimës dhe për të ndihmuar të plagosurin, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia ka ngritur postblloqe përgjatë akseve Rinas–Fushë-Krujë–Laç dhe po analizohen kamerat e sigurisë për identifikimin e lëvizjes së autorëve. Ende nuk ka një pistë zyrtare, por hetimet paraprake sugjerojnë se atentati mund të lidhet me larje hesapesh brenda botës së krimit.
Ngjarja mbetet tepër e rëndë, pasi është kryer në një zonë me qarkullim të lartë dhe siguri të shtuar, vetëm disa metra nga aeroporti ndërkombëtar i vendit.
Hetimet vijojnë.
