
Hetimet zbulojnë shpërndarje globale materialesh abuzive ndaj të miturve; 46 fëmijë shpëtohen dhe 14 persona arrestohen
Autoritetet australiane kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër një rrjeti ndërkombëtar të pedopornografisë, ku dyshohet se shpërndaheshin materiale abuzive me përmbajtje satanike ndaj të miturve. Hetimi nisi në Sydney dhe u shtri në disa rajone të vendit, duke ekspozuar një organizim të ndërlidhur në nivele globale.
Gjatë operacionit, policia federale shpëtoi 46 fëmijë të moshës nga 16 muaj deri në 15 vjeç. Sipas autoriteteve, viktimat ishin objekt shfrytëzimi seksual, ndërsa 16 prej tyre kishin frekuentuar një kopsht fëmijësh. Nga hetimet u zbulua se fotografi dhe video të përdorura për abuzim shpërndaheshin online në platforma të ndryshme.
Janë arrestuar 14 persona të moshës 26 deri 46 vjeç, ndërsa ndaj tyre rëndojnë rreth 828 akuza për abuzim ndaj të miturve dhe shfrytëzim të kafshëve. Një ndër rastet më të rënda ka të bëjë me një 27 vjeçar, punonjës i një kopshti fëmijësh, i cili kishte akses te rreth 30 të mitur dhe pritet të përballet me mbi 300 akuza.
Në këtë grup, një efektiv policie në Sydney konsiderohet si drejtuesi kryesor i rrjetit. Tre persona të tjerë, dyshohen se mbikëqyrnin aktivitetet kriminale. Materiale digjitale janë sekuestruar dhe pritet një proces gjyqësor i gjatë dhe intensiv.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm dhe gjurmimin e materialeve të shpërndara në rrjet. Autoritetet paralajmërojnë se rasti mund të zgjerohet edhe përtej kufijve të Australisë, duke ngritur alarmin për një fenomen të përhapur globalisht. Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kërkojnë rritje të kontrollit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
