
Qeveria paralajmëron mbledhjen dhe shkatërrimin e qindra mijëra armëve, 30 vjet pas skemës historike pas Port Arthur
Qeveria australiane ka shpallur nisjen e një plani të ri për blerjen dhe rikthimin e armëve të zjarrit, pas sulmit të rëndë në Bondi Beach që la 15 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Kryeministri Anthony Albanese e cilësoi këtë nismë si më të madhen e ndërmarrë në tre dekadat e fundit.
Sipas raportimeve, skema është më e gjera që nga viti 1996, kur pas masakrës së Port Arthur në Tasmani, Australia konfiskoi rreth 640 mijë armë të ndaluara në mbarë vendin. Edhe këtë herë, autoritetet synojnë të reduktojnë ndjeshëm numrin e armëve në qarkullim, duke blerë armë të ndaluara rishtazi, armë të paligjshme dhe armë të tepërta.
Shtetet dhe territoret australiane do të jenë përgjegjëse për grumbullimin e armëve dhe kryerjen e pagesave për qytetarët që i dorëzojnë ato, ndërsa Policia Federale do të merret me shkatërrimin e tyre. Kostot e planit do të ndahen mes qeverisë federale dhe autoriteteve lokale.
Kryeministri Albanese theksoi se aktualisht në Australi ka më shumë armë se në vitin 1996 dhe se kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Ai nënvizoi se synimi është largimi i sa më shumë armëve nga rrugët, duke theksuar se qeveria pret që qindra mijëra armë të mblidhen dhe të asgjësohen përmes kësaj skeme.
Plani vjen paralelisht me masa të reja kufizuese në shtetin e New South Wales, ku është vendosur një kufi maksimal për numrin e armëve që mund të mbajnë gjuetarët rekreativë, si dhe kufizime mbi llojet e armëve dhe kapacitetin e karikatorëve.
Sulmi në Bondi ka rikthyer debatin mbi sigurinë publike dhe kontrollin e armëve në Australi, një vend që prej vitesh shihet si shembull për politikat e rrepta në këtë fushë. Qeveria ka bërë të qartë se synon të parandalojë ngjarje të ngjashme në të ardhmen përmes forcimit të mëtejshëm të legjislacionit dhe kontrollit të armëve.
