
Marrëveshja forcon strategjinë dy-flotore të Forcave Ajrore dhe rikthen trajnimin e pilotëve brenda Austrisë
Austria ka finalizuar blerjen e 12 avionëve luftarakë Leonardo M-346FA me vlerë rreth 1.5 miliardë euro, me opsion për edhe 12 të tjerë. Dorëzimet e para pritet të nisin në vitin 2028 dhe avionët do të bazohen në Linz-Hörsching, aty ku më parë shërbenin Saab 105. Paketa përfshin armët, simulatorët, trajnimin si dhe mirëmbajtjen, ndërsa çmimi për një avion llogaritet rreth 80 milionë euro.
Ministrja e Mbrojtjes Klaudia Tanner ka deklaruar se avionët do të shërbejnë njëkohësisht për operacione dhe trajnim, duke rikthyer aftësinë kombëtare për përgatitjen e pilotëve që pas tërheqjes së Saab 105 humbi dhe u zhvendos në Itali e Gjermani. Me ardhjen e M-346, trajnimi do të kryhet sërish brenda vendit, çka sipas Ministrisë kursen kosto afatgjatë dhe rrit sovranitetin operacional. Përfitim ekonomik pritet të sjellë edhe marrëveshja industriale me Italinë, e cila mund të gjenerojë rreth 400 milionë euro investime për Austrinë.
Blerja e M-346FA zyrtarizon objektivin e hershëm të strategjisë dy-flotore, ku Eurofighter Typhoon mbetet përgjegjës për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore, ndërsa M-346 do të përdoret për trajnime, misione me intensitet të ulët dhe mbështetje luftarake. Paketa përfshin sistem LVC, Helmet Mounted Display, Link 16, IRIS-T, si dhe pajisje për ndërhyrje elektronike SPEAR AECM. M-346FA mbart shtatë pika armatimi dhe ngarkesë mbi 2 ton armësh, me mundësi CAS, COIN, CSAR, mbështetje detare dhe patrullim ajror.
Varianti i ri Block 20 sjell kabinë me dy ekrane të mëdha, HUD të avancuar, radar AESA dhe integrim armësh më modern. Austria pritet të jetë klienti i parë i këtij standardi. Krahas saj, Italia po porosit 20 avionë të tjerë për shkollimin e pilotëve dhe ekipin Frecce Tricolori.
Megjithëse më herët u diskutua zëvendësimi i Eurofighter për shkak të kostove të larta të operimit dhe mungesës së aftësive të avancuara, Ministria tani e konsideron të mbyllur çështjen, duke ruajtur Typhoon dhe vendosur M-346FA si flotë plotësuese në mbrojtjen ajrore të vendit.
