
Mjeti mori flakë në mes të rrugës Ormskirk, bllokohet qarkullimi dhe ndërhyjnë zjarrfikësit
Momente paniku janë regjistruar paraditen e sotme në Aintree, në Angli, pasi një autobus i kompanisë Arriva u përfshi nga flakët ndërsa ishte në lëvizje.
Sipas shërbimit zjarrfikës Merseyside Fire and Rescue, ngjarja ndodhi rreth orës 11:55 në rrugën Ormskirk Road. Pasagjerët dhe drejtuesi i mjetit u evakuuan menjëherë, pak çaste përpara se autobusi të përfshihej plotësisht nga zjarri.
Zjarrfikësit arritën të neutralizonin flakët brenda rreth 20 minutash, ndërsa autobusi u dogj pothuajse tërësisht. Si masë sigurie, Ormskirk Road u mbyll për qarkullim në drejtim të Switch Island dhe vijon të mbetet pjesërisht e bllokuar për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve emergjente dhe largimit të mjetit të djegur.
Autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar nga incidenti, ndërsa hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
Policia dhe shërbimet rrugore u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin zonën për shkak të trafikut të rënduar.
