Momente paniku të vërteta përjetuan pasagjerët e një autobusi në Sao Paulo të Brazilit, kur automjeti doli jashtë kontrollit dhe u përplas me makina e motorë në një autostradë të ngarkuar.
Ngjarja ndodhi dje në mëngjes në rrugën anësore të autostradës Raposo Tavares. Në videot e filmuara brenda, dëgjohen britmat e pasagjerëve dhe shihet si përpiqen dëshpërimisht të mbahen më këmbë gjatë gjithë asaj udhëtime të tmerrshme që zgjati gati një minutë.
Pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të shoferit, autobusi goditi 15 automjete të tjera (makina dhe motorë) para se të ndalej përfundimisht duke u futur te hyrja e një kompleksi banesash. Sipas të dhënave, shpejtësia ishte rreth 50 km/orë
Për fat të madh nuk pati viktima, por u plagosën 12 persona, dy prej tyre rëndë. Sipas informacioneve të para nga administratori i autostradës, shkaku ishte dështimi i plotë i frenave.
Pak sekonda pasi autobusi u ndal, të gjithë pasagjerët dhe shoferi u hodhën jashtë me nxitim.
Kompania Ecovias Raposo Castello njoftoi se në total u përfshinë 16 automjete, duke lënë dy të plagosur rëndë, dy mesatarë dhe tetë të lehtë. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit.
Në rrjete sociale, pamjet u komentuan me habi dhe tmerr, shumë përdorues i krahasuan me skena nga filmi legjendar “Speed” me Sandra Bullock dhe Keanu Reeves.
