
Shkrimtarja e serisë së famshme Shopaholic u diagnostikua në vitin 2022, familja njofton vdekjen me një mesazh prekës
Shkrimtarja britanike Sophie Kinsella, autore e njohur botërisht për sagën bestseller Shopaholic, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare pas një forme agresive të kancerit në tru. Familja e saj konfirmoi lajmin përmes një postimi prekës në Instagram, duke njoftuar se Kinsella u nda nga jeta e rrethuar nga familja dhe me paqe në ditët e fundit.
Autorja, emri i vërtetë i së cilës ishte Madeleine Wickham, zbuloi diagnozën në prill 2024, pasi kishte filluar të humbiste ekuilibrin, të rrëzohej shpesh dhe të përjetonte dhimbje të forta koke. Tumori u zbulua në fazë të avancuar dhe ajo ju nënshtrua një operacioni tetëorësh, pas të cilit nuk mbante mend as diagnozën e as ndërhyrjen. Megjithatë, sëmundja vazhdoi të përparonte.
Sophie Kinsella u bë e famshme me romanet Confessions of a Shopaholic, të cilat u kthyen në film në vitin 2009 me Isla Fisher në rolin kryesor. Librat e saj, të përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe të shitur në miliona kopje, janë dashur nga publiku për stilin e lehtë, humorin dhe personazhet ikonike.
Në deklaratën e familjes thuhej se ajo u nda nga jeta e rrethuar nga muzikë, ngrohtësi dhe dashuri. Të afërmit e përshkruan si një grua plot jetë, mirënjohje dhe forcë të jashtëzakonshme. Ajo la pas pesë fëmijë dhe një trashëgimi letrare që vazhdon të ndikojë te lexuesit në mbarë botën.
