
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Elvis dhe Gjon Shkambin të dyshuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Apel. Avokati Kujtim Ibro deklaroi se Elvis Shkambi shfaqi pendesë të thellë dhe kërkoi falje familjes së gjyqtarit Kalaja.
“Elvis Shkambi tha se e kreu vrasjen në tronditje të fortë psikike pasi ka hasur në padrejtësi nga gjykatat prej vitesh për çështjen e pronës”, tha avokati. Ibro u shpreh se Shkambi armën e mbante pasi ka punuar në institucione të ruaitjes fizike. Por pranoi se arma ishte pa leje. Sa i përket Banush Koxhaj, punonjësit të sigurisë të akuzuar për shpërdorim detyre, avokati tha se ai ka qenë sëmurë kur xhaxha e nip hynë në gjykatë. “Banush Koxhaj vuan nga diabeti dhe ka kërkuar leje te kancelarja, por se kanë zëvendësuar”, theksoi avokati.
Punonjësi i sigurisë ka deklaruar në sallën e gjyqit se “kam qenë i sëmurë, para se të kalonin palët në skaner, unë kam lajmeruar dhe kancelaren se nuk ndihem, pasi vuaj nga diabeti. Një orë me pas kancelarja më ka dhënë leje për t’u larguar, por nuk jam zëvendësuar”, tha ai.Edhe Koxhaj u la arrest me burg.