Në një rrëfim të ndjerë, avokati Saimir Vishaj ka ndarë detaje nga periudha më e vështirë e jetës së tij, kur pas humbjes së nënës përfundoi në koma dhe më pas u përball me një sëmundje të rëndë që e mbajti për muaj të tërë larg punës e jetës publike.
Avokati i njohur Saimir Vishaj ka treguar në një intervistë për News24 historinë e tij të dhimbshme dhe betejën e vështirë që kaloi me shëndetin, pas një serie ngjarjesh që ndryshuan rrënjësisht jetën e tij. Ai kujtoi se gjithçka nisi në ditën më të errët të jetës së tij, atë kur humbi nënën.
“Në 29 prill më vdiq nëna dhe unë rashë në gjendje kome. Nuk kisha asnjë shqetësim më parë, isha shumë aktiv, kisha shëndet të plotë dhe ishte si një rrufe në qiell të hapur. U gjenda papritur në reanimacion dhe nuk u besoja syve”, tregoi ai.
Vishaj qëndroi një javë në koma dhe më pas, pasi u rikthye në gjendje të qëndrueshme, vendosi të kërkonte ndihmë mjekësore jashtë vendit. Por, edhe gjatë udhëtimit drejt Italisë, gjendja e tij u përkeqësua sërish. “Më ra koma edhe në avion, ndërsa po shkoja për t’u kuruar. Mjekët atje zbuluan diçka që nuk e kishte konstatuar askush më parë”, shtoi ai.
Në klinikën italiane, pas një kolonoskopie, mjekët zbuluan një pjesë tumorale në zorrën e trashë, e cila pengonte prodhimin e një substance të rëndësishme për funksionimin normal të trurit. “Çdo muaj kisha bërë kontrolle, por asnjëherë nuk më kishin kërkuar kolonoskopi. Aty kuptova se problemi ishte shumë më i thellë”, shprehet ai.
Sipas mjekëve italianë, sëmundja kërkonte trajtim afatgjatë dhe pushim të plotë. “Mjeku më tha se për gjashtë muaj nuk isha për punë. Ishte një goditje e madhe, sepse unë e kisha mendjen vetëm tek puna dhe aktivitetet e mia. Por me kalimin e kohës, e kuptova se shëndeti është mbi gjithçka”, tha Vishaj.
Sot, avokati e quan këtë periudhë si një provë të rëndë, por edhe një mësim jetësor. “E falënderoj Zotin që më dha forcën të kthehem më i fortë. Ishte një rrugëtim që më ndryshoi si njeri dhe më mësoi të vlerësoj jetën”, përfundoi ai.
