Një 57-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit teksa lëvizte i armatosur në fshatin Fermë Çlirim. I arrestuari është Petrit Mërnica, i cili u kap në një lokal të zonës teksa me vete iu gjet dhe sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë së bashku me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, të cilat i mbante në çantën e dorës.
Petrit Mërnica nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi ka qëndruar më parë 20 vite në burg për vrasjen e kunatit të tij. Ai është babai i Azgan Mërnicës, i cili është përfshirë në një krim që tronditi vendin më 13 maj 2024, pasi vrau me plumb në kokë efektivin e forcave “Shqiponja”, Novruz Cenaliaj, në fshatin Baltëz të Fierit.
Hetimet zbuluan se konflikti nisi pas një manovre me makinë, Azgani po drejtonte me shpejtësi dhe Cenalia i tërhoqi vëmendjen për sjelljen e rrezikshme në rrugë. Sipas Prokurorisë së Fierit, Mërnica ka ndaluar makinën, ka dalë me çantën ku mbante armën dhe është afruar te polici, që ishte ende brenda mjetit, ku më pas ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar me kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja është regjistruar edhe nga një kamerë sigurie në rrugë, e cila ka filmuar momentin ku Azgan del nga makina dhe qëllon efektivin. Pas vrasjes, Azgan u arratis për rreth 48 orë, por më pas u vetëdorëzua pas negociatave me familjarët dhe forcat e rendit.
Sipas akuzës së prokurorisë, përveç vrasjes së efektivit ‘Shqiponja’, ai akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”. Në korrik 2025, prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën.
