Nikollë Ndoci, babai i të arratisurit nga paraburgimi i Durrësit, Altin Ndoci, i akuzuar për katër vrasje tha se nuk ka asnjë dijeni se pse djali i tij vendosi të arratisej, por dyshon se ky veprim lidhet me mungesën e besimit te drejtësia, pasi sipas tij, Ndoci ka qëndruar prej gjashtë vitesh në paraburgim pa prova.
Babai i bëri thirrje publike të birit që të dorëzohet, duke theksuar se është shumë i shqetësuar për gjendjen e tij.
“Në familjen tonë jemi të shokuar. Prej gjashtë vitesh jetojmë të tronditur, por këtë rast nuk e prisnim. Nuk e dinim që do ndodhte diçka e tillë,” u shpreh ai në një lidhje direkte me emisionin “Top Story”.
I pyetur nëse i biri i kishte thënë ndonjëherë se do të largohej nëse drejtësia nuk vepronte, Nikollë Ndoci u përgjigj se jo, por sipas tij, djali mund të ketë vepruar nga mosbesimi te drejtësia, pasi prej gjashtë vitesh ndodhet në hetim dhe paraburgim.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë vizitave në burg, policët kanë zbatuar gjithmonë rregullat dhe ai ka qenë i kënaqur me sjelljen e tyre.
Ndoci u shpreh se i biri është akuzuar për katër vrasje në Durrës, por sipas tij akuzat janë të pabazuara:
“Në dijeninë time duhet të shpallet i pafajshëm. Nuk ka asnjë lloj faji. Kur ndodhën vrasjet, djali ishte në shtëpi me mua. Më dhemb fakti që disa gazetarë e kanë shpallur fajtor pa vendim gjykate.”
Ai tregoi se vetëm tre ditë më parë kishte folur me të dhe i kishte çuar ushqime, ndërsa Altini i kishte thënë se ishte mirë.
“Nuk e di fare ku është. Nuk kam asnjë sinjal. Uroj që policia ta gjejë dhe ose ta çojë aty ku ishte, ose ta sjellë në shtëpi, sepse nga shtëpia ma morën. Besoj se e ka bërë këtë sepse nuk i beson drejtësisë,” tha ai.
Në një apel emocional, babai iu drejtua të birit:
“Jam shumë i shqetësuar për ty. Nëse më dëgjon, dua të dish që babi të do shumë. Jemi të lodhur e të rraskapitur pas gjashtë vitesh pa përgjigje. Edhe pse nuk i besoj drejtësisë, më mirë të dorëzohesh që ta di ku je, sesa të rri këtu i shqetësuar.”
Ai konfirmoi gjithashtu se Altin Ndoci kishte pasur probleme shëndetësore, sidomos me veshkat dhe infeksione të brendshme, dhe se shpesh i kishte çuar ilaçe.
Nikollë Ndoci u shpreh se djali i tij nuk ka bërë asnjë gabim dhe se që nga arrestimi, gjashtë vite më parë, ai ka jetuar vazhdimisht me frikë.
Ai tha se kishte dashur të bënte edhe një denoncim në polici për gjetjen e të birit, ndërsa tregoi se pak orë më parë disa oficerë kishin shkuar në banesën e tij për kontroll.
“Djali im nuk ka bërë asnjë gabim. Në dijeninë time nuk ka asnjë faj. Kishte marrëdhënie shumë të mira me të gjithë dhe nuk kishte asnjë indicie. Që ditën e parë të arrestimit kam jetuar me frikë. U vranë dy vëllezër dhe kjo nuk është gjë e vogël. Tani nuk kemi borxh ndaj askujt. Unë doja të denoncoja që dje për ta gjetur djalin tim, por nuk pashë asnjë polic. Vetëm para një ore erdhën 5–6 persona dhe bënë një kontroll në shtëpi,” u shpreh ai.
Ndërkohë, arratisja e 38-vjeçarit Altin Ndoci dyshohet se ishte e planifikuar prej disa muajsh.
Sipas hetimeve, i paraburgosuri me precedentë të rëndë kriminalë nga SPAK kishte ndërtuar një skenar për një sëmundje akute, me qëllim që të transferohej nga burgu në spitalin e Durrësit dhe jo në spitalin e burgjeve në Tiranë.
Me pretendimin e krizave të veshkave, Ndoci ishte paraqitur disa herë në repartin infektiv të spitalit të Durrësit, ku kishte identifikuar hapësirat që do t’i mundësonin arratisjen. Këtë të martë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve, ai u largua me makinë nga spitali dhe prej atëherë ka humbur gjurmët.
