
Këngëtari portorikan fiton çmimin e albumit të vitit, një arritje historike për muzikën në spanjisht, dhe përdor skenën e Grammy Awards për të kundërshtuar ashpër veprimet e policisë amerikane të emigracionit
Këngëtari portorikan Bad Bunny u shndërrua në figurën qendrore të mbrëmjes në Grammy Awards, duke fituar çmimin prestigjioz për albumin e vitit. Ky vlerësim shënon një moment historik, pasi për herë të parë një album i kënduar në gjuhën spanjolle arrin të fitojë trofeun kryesor të ceremonisë.
Albumi Debi tirar mas fotos, i frymëzuar nga ritmet tradicionale të Porto Rikos, trajton temat e identitetit, kolonizimit dhe kujtesës kolektive të ishullit që ndodhet nën juridiksion amerikan që prej vitit 1898. Me këtë fitore, Bad Bunny la pas emra të mëdhenj të industrisë muzikore amerikane, përfshirë Kendrick Lamar dhe Lady Gaga.
Gjatë fjalimit të tij, artisti ia kushtoi çmimin të gjithë atyre që janë detyruar të largohen nga vendlindja për të ndjekur ëndrrat e tyre, duke e shndërruar momentin në një mesazh solidariteti për emigrantët. Më herët, pasi u shpall fitues edhe për muzikën më të mirë latine urbane, ai bëri thirrje të hapur kundër ICE, policisë amerikane të emigracionit, e kritikuar për metoda të ashpra dhe të dhunshme.
Këngëtari theksoi se emigrantët nuk janë armiq apo të huaj, por njerëz dhe qytetarë që kontribuojnë në shoqërinë amerikane, duke bërë thirrje për refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe për respekt ndaj dinjitetit njerëzor.
Mesazhe të ngjashme u dëgjuan edhe nga artistë të tjerë. Billie Eilish, e shpallur fituese e çmimit për këngën e vitit, riafirmoi qëndrimin e saj kritik ndaj politikave migratore të administratës amerikane, duke nënvizuar rëndësinë e zërit qytetar dhe të protestës paqësore.
Ndërkohë, Kendrick Lamar ishte fituesi tjetër i madh i mbrëmjes, duke rrëmbyer pesë çmime, përfshirë atë të regjistrimit të vitit, dhe duke forcuar statusin e tij si reperi më i vlerësuar në historinë e Grammy Awards.
Ceremonia e këtij viti u shndërrua në një skenë të hapur debatesh sociale dhe politike, ku shumë artistë shfrytëzuan famën dhe vëmendjen globale për të theksuar rolin thelbësor të emigrantëve në shoqërinë amerikane dhe për të kundërshtuar politikat përjashtuese.
