
Nën hijen e hetimit penal, institucionet në varësi të zv/kryeministres hapin me urgjencë katër procedura të reja me kosto dhjetëra milionë euro
SPAK ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndërsa paralelisht institucionet që varen nga ajo kanë hapur me shpejtësi katër tendera të rinj me vlerë rreth 90 milionë euro. Lëvizjet financiare vijnë në një moment tepër delikat, kur hetimi penal ndaj ministres është në fazë aktive dhe pritet vendimmarrje për masa sigurie.
Vetëm pak ditë pas emërimit të Ami Kozelit në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë shpallur procedura tenderimi me kosto të lartë, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi urgjencën, prioritetet dhe transparencën e vendimeve.
Tenderi i parë ka të bëjë me të ashtuquajturin “arredim dhe rikualifikim urban” të superstradës Tiranë–Durrës, nga Faza I deri në Fazën III. Për punime që përfshijnë kryesisht vijëzime dhe sinjalistikë horizontale e vertikale, fondi limit arrin rreth 1.4 miliardë lekë, ose afërsisht 15 milionë euro, ndonëse për këtë aks janë shpenzuar më herët mbi 75 milionë euro në lote të ndryshme.
Dy tenderë të tjerë janë hapur për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me Korridorin e Tetë. Faza e parë parashikon një fond mbi 35 milionë euro, ndërsa faza e dytë rreth 25 milionë euro. Në total, për Unazën e Elbasanit janë alokuar mbi 60 milionë euro, në një zonë të njohur prej vitesh për problematika të rënda trafiku dhe zvarritje projektesh.
Tenderi i katërt lidhet me aksin Kashar–Nyja Vaqarr, faza e tretë, me një fond rreth 16 milionë euro. Edhe këtu, për dy fazat e mëparshme janë shpenzuar dhjetëra miliona euro të tjera, ndërsa hapja e procedurës me nxitim ka shtuar dyshimet mbi arsyet reale të urgjencës.
Hapja e këtyre katër tenderëve në të njëjtën periudhë, kur SPAK kërkon masa më të ashpra sigurie ndaj ministres përgjegjëse, ka ndezur debat mbi kontrollin institucional, përdorimin e fondeve publike dhe respektimin e standardeve të transparencës në një moment kritik për besimin publik.
