

Prestigjiozja britanike Daily Mail ka publikuar një investigim të gjerë mbi mënyrën se si rrjete të organizuara shqiptare kanë marrë nën kontroll shpërndarjen e kokainës në Londër dhe më gjerë në Britaninë e Madhe.
Në qendër të historisë është rasti i një të riu kosovar 25-vjeçar, i identifikuar vetëm si Erik, i cili pranoi hapur para gazetarëve të infiltruar se fiton shuma të mëdha nga tregtia e drogës. Ai rrëfeu se furnizon klientët e bareve luksoze të Oxford Street dhe Soho-s, duke u shfaqur i qeshur e pa asnjë shenjë frike nga ligji.
Eriku ishte arrestuar muaj më parë me disa doza kokaine, por qëndroi vetëm dy javë pas hekurave dhe u la i lirë pa akuza të ngritura. Vetë ai pohon se policia britanike është shumë më e butë se ajo e Shqipërisë: “Këtu nuk kam frikë, atje të rrahin dhe të qëllojnë. Këtu është më e lehtë për ne.”
Rekrutimi përmes rrjeteve sociale
Sipas hetimit, karriera e tij kriminale nisi thjesht me një postim në grupin “Albanian Community in the UK” në Facebook. Këto grupe shërbejnë si pikë takimi mes shpërndarësve dhe bandave, ku termat “motorist” apo “shofer” janë kode për shitësit e kokainës. Në TikTok gjithashtu qarkullojnë oferta të ngjashme, të maskuara me emoji të dëborës ose fjalën “pika” për të treguar sasitë e drogës.
Fitime marramendëse
Shifrat e publikuara janë alarmante: një shpërndarës mund të fitojë deri në 1,700 paund në javë, ose mbi 145 mijë paund në vit, të ardhura të barabarta me ato të menaxherëve të lartë në kompani britanike. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) vlerëson se rrjetet shqiptare gjenerojnë çdo vit qindra miliona paund, të cilat transferohen jashtë vendit dhe përdoren kryesisht për investime në ndërtim apo futen në sistemin financiar shqiptar.
Rruga e gomoneve dhe azilantët
Një pjesë e madhe e trafikantëve hyn ilegalisht në Britani me gomone, strehohen fillimisht në hotele për azilantë dhe më pas zhduken prej aty për t’iu bashkuar menjëherë tregut të kokainës. Ky model është kthyer në fenomen, duke ekspozuar dobësitë e kontrolleve kufitare dhe të sistemit ligjor britanik.
Kritikat politike
Opozita britanike ka reaguar ashpër. Deputeti konservator Chris Philp deklaroi se bandat shqiptare tashmë “po e tallin hapur shtetin britanik në rrjetet sociale, sepse e dinë që ndëshkimet janë të lehta dhe rikthimi pas deportimit është vetëm çështje ditësh.”
Një strategji e thjeshtë, një problem kombëtar
Arsyeja e suksesit është e qartë: kokainë më cilësore, çmim më i ulët dhe shpërndarje më e shpejtë. Ish-përdoruesit e intervistuar e përshkruajnë Londrën si “kryeqyteti i kokainës”, ndërsa fenomeni i bandave shqiptare është shndërruar tashmë në një shqetësim të nivelit kombëtar për Mbretërinë e Bashkuar.