
Investime të larta, por eficiencë e ulët; raporti paralajmëron se infrastruktura rrugore, hekurudhore dhe mjedisore po kthehen në pengesë për zhvillimin dhe integrimin europian
Banka Botërore vë alarmin për sektorin e transportit në Shqipëri, duke paralajmëruar se pa reforma të shpejta dhe orientim më efikas të investimeve, vendi rrezikon të humbasë potencialin e rritjes ekonomike, zhvillimit tregtar dhe turizmit.
Sipas raportit, edhe pse Shqipëria shpenzon rreth 7.5 % të buxhetit publik për transportin, një nga nivelet më të larta në rajon, afro 80% e këtyre fondeve shkojnë për rrugët, ndërsa rezultatet në cilësi, mirëmbajtje dhe shërbim mbeten të pamjaftueshme. Problemet e akumuluara ndër vite tregojnë se investimet nuk janë shoqëruar me eficiencë të qëndrueshme.
Rrjeti rrugor prej rreth 15 mijë kilometrash përballon 98 % të trafikut të brendshëm të pasagjerëve, por pjesë të mëdha të tij, veçanërisht rrugët rurale dhe lidhjet rajonale, janë të amortizuara dhe me standarde të dobëta sigurie. Kjo dëmton jo vetëm lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, por edhe konkurrueshmërinë ekonomike dhe flukset turistike.
Raporti nënvizon se rritja e numrit të automjeteve me mbi 114% gjatë periudhës 2013–2023 ka ushtruar presion të fortë mbi infrastrukturën ekzistuese dhe ka përkeqësuar ndotjen urbane. Rreth 90% e mjeteve në qarkullim janë më të vjetra se 10 vjet, duke rritur ndjeshëm emetimet, konsumin e karburantit dhe zhurmën në qytete.
Problematikat nuk ndalen te rrugët. Mbi 70% e linjave hekurudhore janë në gjendje të degraduar, duke kufizuar shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit, si edhe integrimin rajonal. Ndërkohë, transporti detar, i cili përpunon rreth 55% të volumit të mallrave, kërkon modernizim të vazhdueshëm për t’iu përshtatur flukseve tregtare në rritje.
Banka Botërore evidenton gjithashtu cenueshmërinë e lartë klimatike të infrastrukturës. Përmbytjet përgjatë korridoreve kryesore, si Tiranë–Durrës dhe Durrës–Vlorë, shkaktojnë humbje vjetore rreth 15 milionë dollarë, ndërsa dëmtimet në ura dhe prita i shtojnë mbi 20 milionë dollarë kosto shtesë çdo vit.
Transporti mbetet sektori i dytë më i madh emetues në vend, me rreth 22% të totalit të emetimeve, duke e vendosur në qendër të sfidave të tranzicionit të gjelbër. Në vlerësimet ndërkombëtare, Shqipëria renditet ulët për cilësinë e infrastrukturës dhe treguesit e logjistikës, çka reflekton boshllëqe strukturore të zgjatura.
Raporti thekson se vendi mund të arrijë rezultate dukshëm më të mira pa rritur domosdoshmërisht shpenzimet, nëse investimet aktuale menaxhohen më me eficiencë. Optimizimi i tyre mund të përmirësojë performancën infrastrukturore me 18.6% dhe cilësinë e rrugëve me rreth 29 pikë përqindje. Rritja e eficiencës së kapitalit publik pritet të kontribuojë me rreth 0.1 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së për frymë gjatë periudhës 2026–2050.
Në planin afatshkurtër, Banka Botërore rekomandon krijimin e një buxheti të posaçëm për mirëmbajtjen e urave dhe rrugëve, forcimin e standardeve të sigurisë, rritjen e transparencës në importin e automjeteve të përdorura dhe ruajtjen e taksave të larta për karburantet fosile. Në afatgjatë, kërkohet mobilizimi i kapitalit privat për hekurudhat, nxitja e mobilitetit të gjelbër urban dhe ndërtimi i një kuadri të qartë për infrastrukturën e karikimit elektrik.
Sipas raportit, vetëm një kombinim i reformave institucionale, investimeve efikase dhe politikave të qëndrueshme mund ta kthejë transportin në një motor real të zhvillimit ekonomik për Shqipërinë.
