Banorët e Krahinës Dukat–Tragjas–Radhimë–Orikum, kanë ngritur një sërë akuzash serioze ndaj institucioneve shtetërore dhe aktorëve të lidhur me to. Sipas komunitetit, zona po përballet me një proces të organizuar shpopullimi, grabitjesh pronash dhe prishjesh të ndërtesave, që rrezikon ekzistencën e vetë krahinës.
Akuzat e tyre banorët do t’i depozitojnë të hënën në SPAK me pretendimin se:
1. Shpopullimi i qëllimshëm i krahinës
Banorët pretendojnë se po kryhet një plan i organizuar për largimin e tyre nga territori përmes grabitjes së pronave, prishjes së banesave e bizneseve dhe krijimit të kushteve të pamundura për jetesë.
2. Mohimi i së drejtës së pronësisë dhe zhvillimit
Komuniteti akuzon se institucionet e korruptuara përdorin ligje të padrejta për të penguar banorët që të gëzojnë të drejtat e tyre të pronësisë dhe zhvillimit ekonomik.
3. Abuzimi me asetet natyrore të zonës
Banorët thonë se resurset e krahinës – si burimet e ujit të Tragjasit, vija bregdetare Radhimë–Orikum–Karaburun dhe Parku i Llogarasë – po shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë, duke përjashtuar komunitetin lokal nga përfitimet.
4. Mospërfillja e komunitetit në projektet publike
Ata denoncojnë mungesë të plotë transparence dhe moskonsultim publik në projektet infrastrukturore që prekin zonën, pavarësisht se ligji e kërkon këtë.
5. Grabitje dhe tjetërsime masive të pronave
Sipas banorëve, në zonën e Radhimës, Orikumit, Karaburunit, Tragjasit të vjetër, Dukatit dhe Llogarasë ka raste të shumta falsifikimesh dhe mbivendosjesh pronash, të shoqëruara me prishje të ndërtimeve për të lehtësuar zaptimin.
Banorët deklarojnë se janë të vendosur të mbledhin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të nisur betejën ligjore në të gjitha nivelet.
