Fshati Hasturkas në Njësinë Administrative Libofshë, Bashkia Fier, është përfshirë nga përmbytjet për shkak të rritjeve të prurjeve të lumit Seman.
Prurjet kanë qenë të shumta sa kanë çarë argjinaturën në 3 – 4 vende.
Banorët e zonës po përballen me ujë që ka hyrë në oborret e banesave dhe ka bllokuar rrugët, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme.
Një qytetare nga Libofsha, ka rrëfyer për situatën dramatike që po përjeton fshati i saj pas përmbytjeve të fundit. Ajo tregon se ka burrin dhe djalin të bllokuar në zonën e përmbytur dhe nuk ka mundur të kontaktojë me ta.
“Kam djalin dhe burrin atje, ti lene delet e të vijë këtu. Nuk kam kontaktuar me ta, i kam telefonat unë. Nuk e di fare si është gjendja e tyre. Dua të iki ti shikoj, më lini të iki ju lutem,” tregon qytetarja me shqetësim.
Banorët kanë ndërmarrë përpjekje për të shpëtuar pasuritë e tyre, por niveli i lartë i ujit e bën këtë pothuajse të pamundur.
Sipas banorëve dhe dëshmive të mbledhura nga terreni, përmbytjet janë shkaktuar nga reshjet e dendura dhe përmbytja e kanaleve kulluese, të cilat nuk kanë mundur të përballojnë volumet e mëdha të ujit.
Rrugët e fshatit janë të bllokuara, duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe ndihmën emergjente, ndërsa disa familje mbeten të izoluar.
