
Penalltia për Teutën ndez polemika, bardheblutë ndihen të dëmtuar dhe mbeten në fund të renditjes
Teuta dhe Tirana janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e luajtur në Durrës, një takim që u shoqërua me tension, protesta dhe polemika të forta nga kampi bardheblu për vendimet e arbitrit.
Skuadra kryeqytetase e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 4-t me golin e Ndong, i cili finalizoi me sukses një kundërsulm të shpejtë. Reagimi i Teutës erdhi në minutën e 31-të, kur Beshiraj realizoi nga pika e penalltisë, një episod që shkaktoi reagime të ashpra nga Tirana, e cila e konsideroi vendimin të padrejtë.
Pjesa e parë u mbyll mes protestash, ndërsa tensioni vijoi edhe pas pushimit, me vonesa në nisjen e pjesës së dytë për shkak të diskutimeve dhe pakënaqësive në fushë. Pavarësisht rasteve të krijuara, pjesa e mbetur e ndeshjes nuk solli ndryshim rezultati.
Ky barazim nuk i ndihmon kryeqytetasit, të cilët mbeten në vendin e fundit të renditjes me vetëm 8 pikë. Nga ana tjetër, Teuta ruan pozicionin e pestë me 24 pikë, duke qëndruar në garë për objektivat e sezonit.
