Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Siçili të Italisë, ku nëna ka vrarë vajzën e saj të sëmurë dhe më pas i ka dhënë fund jetës me vetëvarje.
Media e vendit fqinj informon se 78-vjeçarja Lucia Pecoraro, vrau vajzën e saj me aftësi të kufizuara, Giuseppina Milone, 47 vjeçe dhe më pas vari veten në Corleone, në provincën e Palermos.
Tragjedia familjare ndodhi në qendrën historike të qytetit. Karabinierët, të cilët po kryejnë hetimin, dhe stafi mjekësor i urgjencës 118 ndërhynë.
Ekipet e shpëtimit e gjetën vajzën të mbytur me një litar poshtë në shtëpinë e tyre. Trupi i nënës së saj u gjet i varur nga kangjellat sipër.
Banorët thanë se e moshuara humbi bashkëshortin e saj, një infermier në pension nga Spitali Bianchi në Corleone, tetë muaj më parë. Në një depresion të thellë ajo e gjeti veten duke u kujdesur për vajzën e sëmurë, e cila kohët e fundit kishte ndaluar së ecuri.
Nëna dhe vajza ndiqnin kishën lokale dhe kishin udhëtuar së fundmi për në Pompei me një grup fetar. Për familjen kujdeseshin nipërit e mbesat e tyre, të cilët kishin kontaktuar shërbimet sociale lokale. Zjarrfikësit dhe oficerët e karabinierisë mbërritën dhe hynë në shtëpi, duke gjetur trupat.
“Jemi të tronditur nga kjo tragjedi”, tha kryebashkiaku i Corleones, Walter Rà. “I gjithë komuniteti ynë është thellësisht i prekur nga ajo që ndodhi në qytet. Familja ishte e njohur për të gjithë; ata ishin njerëz të mirë”.
