
Klubi katalanas i është drejtuar një mjeku të njohur në Finlandë për të trajtuar pubalgjinë që e ka kufizuar sulmuesin 18-vjeçar prej javësh.
Lamine Yamal po kalon periudhën më të vështirë të karrierës së tij të re. Sulmuesi 18-vjeçar i Barcelonës prej javësh po luan me dhimbje për shkak të pubalgjisë, një inflamacion në zonën e ijëve që prek balancën mes muskujve të barkut dhe atyre aduktorë. Kjo gjendje e ka ndalur fuqinë e tij në sprint, driblim dhe ndryshim ritmi, duke ndikuar drejtpërdrejt në paraqitjet e tij të fundit.
Pavarësisht dhimbjes, Yamal ka zgjedhur të shmangë ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa klubi është vënë në lëvizje për të gjetur rrugën e trajtimit pa operacion. Sipas mediave sportive spanjolle, Barcelona ka vendosur t’i drejtohet doktor Lempainen në Finlandë, një specialist i njohur për trajtimin e pubalgjisë dhe i përdorur më parë nga katalanasit për raste si Ronald Araujo dhe Alejandro Balde.
Mjeku është në kontakt të drejtpërdrejtë me stafin mjekësor të klubit dhe po udhëheq procesin e rehabilitimit me qëllim që të ulet dhimbja dhe të shmanget përkeqësimi. Prioriteti është që lojtari të rikuperohet përmes fizioterapisë, kontrollit të ngarkesës dhe pushimit të monitoruar, pa ndërhyrje kirurgjikale në këtë fazë.
Operacioni mbetet një opsion i mundshëm vetëm nëse dhimbjet rriten ose rikthimi në intensitet të lartë të lojës nuk është i mundur. Për momentin, Barcelona dhe Yamal po besojnë tek trajtimi konservator, por javët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen fizike të talentit të Kombëtares Spanjolle.
