
Një tjetër akuzë e rëndë politike është drejtuar sot ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se Kreu i Shtetit rezulton i punësuar paralelisht në një klinikë private mjekësore, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Sipas Bardhit, Begaj ushtron funksion publik si President në mëngjes, ndërsa pasdite kryen punë në sektorin privat si mjek. “Paradite është President, pasdite mjek. Ky është rasti tipik i konfliktit të interesit dhe i shkeljes së parimit të neutralitetit që Kushtetuta i imponon Kreut të Shtetit”, u shpreh ai para gazetarëve.
Opozita kërkon sqarime të menjëhershme për mënyrën se si Presidenti është regjistruar në një subjekt privat gjatë kohës që mban postin më të lartë të shtetit. Sipas Bardhit, dokumentet e siguruara nga PD tregojnë se Begaj figuron i punësuar në një qendër shëndetësore me status privat, çka bie ndesh me nenin kushtetues që ndalon ushtrimin e çdo funksioni tjetër gjatë mandatit presidencial.
“Presidenti i Republikës nuk mund të përfitojë nga dy burime të ardhurash, e aq më pak të mbajë poste që krijojnë varësi ekonomike apo institucionale. Ky është një abuzim i pastër me detyrën,” deklaroi Bardhi, duke paralajmëruar se kjo çështje do t’i dorëzohet zyrtarisht Kuvendit si pjesë e kërkesës për shkarkimin e Begajt.
Zyra e Presidentit ende nuk ka dhënë asnjë reagim lidhur me këto akuza, ndërsa PD paralajmëron se do të publikojë dokumentet përkatëse që, sipas saj, provojnë përfshirjen e Begajt në veprimtari private gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore.