

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas publikimit të një fotografie nga zyra e Ministrit të Drejtësisë, ku ky i fundit bëri me dije se kishte ndarë prioritetet e programit qeverisës edhe me drejtuesin e SPAK.
Sipas Bardhit, një veprim i tillë përbën një precedent të paprecedentë propagandistik dhe cenon dukshëm perceptimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
“SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë. Pavarësia e drejtësisë nuk mjafton të ekzistojë vetëm në ligj, por duhet të duket qartë edhe në praktikë”, theksoi ai.
Demokrati nënvizoi se marrëdhëniet e drejtuesit të SPAK me ekzekutivin duhet të mbeten vetëm në kuadër të ligjit dhe jo për qëllime politike:
“SPAK nuk mund të përdoret si mekanizëm propagande i qeverisë. Askund nuk parashikohet që drejtuesi i tij të dëgjojë prioritetet e një qeverie të korruptuar. Prioriteti i vetëm i SPAK duhet të jetë lufta kundër korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar”, tha Bardhi.
Ai e cilësoi publikimin e fotos dhe deklaratën e Ministrit të Drejtësisë si “një akt propagande të pandodhur më parë”, që sipas tij tregon ndërhyrjen e hapur të qeverisë në një institucion që duhet të qëndrojë i pavarur.