
Kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se dosja e SPAK tregon presion ndaj një vartëseje, por dokumentet janë mbyllur në kasafortë në Kuvend
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme ka provuar përmes metodave speciale të hetimit se zv.kryeministrja Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarë në kuadër të hetimeve penale që e përfshijnë atë.
Sipas Bardhit, provat ndodhen në dosjen që SPAK i ka përcjellë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet edhe heqja e imunitetit të Ballukut për efekt arrestimi, pas marrjes së saj si e pandehur dhe vendosjes së masës së sigurisë në lidhje me çështjet e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.
Ai thekson se materialet hetimore, të cilat sipas tij janë kyçe për zbardhjen e çështjes, nuk po u vihen në dispozicion deputetëve që do të mblidhen në Këshillin e Imuniteteve. Bardhi akuzon kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se i ka mbyllur provat në kasafortë, duke penguar shqyrtimin e plotë të kërkesës së SPAK.
Në një reagim publik, Bardhi shprehet se vonesat dhe fshehja e dokumenteve përbëjnë manovra politike për të fituar kohë dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë. Ai nënvizon se SPAK ka dokumentuar raste konkrete intimidimi, përfshirë presionin e ushtruar nga Balluku ndaj një vartëseje të saj, e identifikuar me inicialet M.K., fakt i pasqyruar në materialet hetimore.
Sipas Bardhit, bllokimi i provave në Kuvend cenon transparencën dhe procesin parlamentar, ndërsa rrit dyshimet për ndërhyrje politike në një çështje të ndjeshme që lidhet me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
