
Amy Wallace kërkon që ish-princi të bashkëpunojë për dosjen Epstein dhe të “bëjë gjënë e duhur” në nder të viktimës.
Amy Wallace, bashkautore e librit “Vajza e askujt” të Virgjinia Giuffre, botuar pas vdekjes së saj në mes të vitit 2025, ka bërë një apel publik për Andrew Mountbatten-Windsor, duke i kërkuar atij të thyejë heshtjen dhe të kontribuojë me informacion në lidhje me skandalin Epstein.
Wallace deklaroi se gjatë katër viteve të punës së përbashkët me Giuffre, ajo i ka bërë vazhdimisht thirrje ish-princit për të dëshmuar dhe për të ndihmuar hetimet mbi rrjetin e abuzimit seksual ku përfshihej miliarderi Jeffrey Epstein. Ajo theksoi se, pavarësisht se Andrew ka mohuar akuzat, fakti që Familja Mbretërore ia hoqi titujt dhe deklaroi mbështetje për viktimat e abuzimit seksual, ishte një hap domethënës.
Sipas Wallace, ajo ka bërë dhjetëra thirrje publike ku i kërkonte Andrewt të bashkëpunonte me Kongresin amerikan dhe të tregonte çfarë di. Ajo kujtoi fjalët e drejtuara atij drejtpërdrejt në intervista televizive:
“Ke thënë se nuk ke bërë asgjë të gabuar, por ke qenë në ishull, në rezidenca, në avionët privatë. Ke parë gjëra që mund të ndihmojnë viktimat. Ke dy vajza. Hidh hapin. Bëj gjënë e duhur.”
Deri më tani, ish-Duka i Jorkut ka zgjedhur heshtjen dhe ka mohuar çdo lidhje të fortë me rastin, pavarësisht thirrjeve në rritje që të kontribuojë në zbardhjen e së vërtetës mbi një nga skandalet më të mëdha të abuzimit seksual në dekadat e fundit.
