
Francesk Shkambi u qëllua jashtë biznesit të tij; autori 65-vjeçar u dorëzua vetë në polici pak minuta pas ngjarjes.
Një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin shqiptar në Michigan mbrëmjen e së dielës, ku 44-vjeçari Francesk Shkambi, me banim në Howell, u ekzekutua me armë zjarri pranë restorantit Prime 7 në Commerce Township, ku ai ishte menaxher dhe bashkëpronar.
Sipas policisë, ngjarja u regjistrua rreth orës 21:30 me orën lokale, teksa Shkambi u gjet i plagosur rëndë në verandën e lokalit. Ai u transportua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Rreth 20 minuta pas vrasjes, një 65-vjeçar nga Farmington Hills u paraqit vetë në stacionin e policisë dhe u arrestua pa rezistencë. Hetuesit sekuestruan një armë pistoletë 9 mm, e cila dyshohet se është përdorur në krim dhe rezulton e vjedhur.
Autoritetet konfirmuan se viktima dhe i dyshuari e njihnin njëri-tjetrin dhe se mes tyre kishte pasur një konflikt që ishte tensionuar së fundmi. Detajet mbi motivin nuk janë bërë ende publike, ndërsa çështja pritet të kalojë për hetime të mëtejshme në prokurori.
Stafi dhe familjarët e Shkambit e përshkruan atë si një njeri të qetë, punëtor dhe të përkushtuar ndaj komunitetit. Restoranti Prime 7 njoftoi se do të qëndronte i mbyllur për një ditë në shenjë zie për humbjen e bashkëpronar-it të tyre.
