
Pas zjarrit me 40 viktima, autoritetet zbulojnë mungesa të rënda sigurie dhe marrin masa urgjente
Pesë ditë pas zjarrit tragjik që tronditi Crans-Montanan, autoritetet lokale kanë pranuar publikisht dështime serioze në sistemin e kontrolleve të sigurisë. Sipas bashkisë, lokali Le Constellation, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, nuk kishte kaluar asnjë kontroll periodik antizjarri gjatë periudhës 2020–2025.
Në një deklaratë zyrtare, Këshilli Komunal shprehet se ndihet thellësisht i tronditur nga këto gjetje, duke pranuar se bëhet fjalë për mangësi të rënda institucionale. Autoritetet sqarojnë se, edhe pse vetëm gjatë vitit 2025 janë kryer mbi 14 mijë kontrolle antizjarri në territorin komunal, ky lokal kishte mbetur jashtë çdo verifikimi për pesë vite radhazi.
Hetimet për zjarrin, që ka lënë pas një komunitet të shokuar në Zvicër, vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe administrative. Bilanci i deritanishëm konfirmon 40 viktima, të gjitha të identifikuara, dhe 116 të plagosur, nga të cilët 33 janë larguar tashmë nga spitalet.
Pas ngjarjes, bashkia ka marrë masa të menjëhershme, duke ndaluar përdorimin e çdo lloj pajisjeje piroteknike në ambiente të mbyllura në të gjithë territorin e saj. Po ashtu, është angazhuar një zyrë e jashtme e specializuar për të kontrolluar urgjentisht të 128 lokalet publike të komunës, përfshirë cilësinë e materialeve ndërtimore, edhe pse një veprim i tillë nuk parashikohet shprehimisht nga ligji.
Detaje të reja kanë ngritur pikëpyetje të forta edhe mbi vendimet e mëparshme administrative. Në fund të vitit 2025, menaxheri i lokalit kishte kërkuar leje për zgjerim, që parashikonte heqjen e një daljeje anësore të verandës, një ndryshim që, sipas autoriteteve, mund të kishte përkeqësuar edhe më tej pasojat e zjarrit. Ndërkohë, rrezikshmëria e paneleve fonoizoluese në tavan rezulton të ketë qenë e njohur prej vitesh.
Si masë shtesë, bashkia ka vendosur t’u heqë pronarëve licencën e ushtrimit të aktivitetit për lokalin e tyre të dytë në Crans-Montana, ndërsa hetimet dhe verifikimet pritet të vijojnë në ditët në vijim.
