
Punonjësit e Agjencisë së Mbarojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës kanë hedhur helm nëpër rrugët e kryeqytetit.
Helm për të helmuar qentë endacakë, por dhe ata që kanë një pronar.
Në videon e siguruar nga CNA shihet se si hidhet helmi në një prej lagjeve të Tiranës, konkretisht në Kombinat. Mësohet se nga hedhja e këtij helmi ka humbur jetën një prej qenushave të asaj lagje.
Ngjarja ka shqetsuar dhe prekur banorët e zonës, të cilët thonë për redaksinë e CNA se qenushi Puki ishte një qen mjaft miqësor me ata vetë dhe nuk i shkaktonte asnjë problematikë komunitetit.
Banorët tregojnë se ishin ata vetë që kujdeseshin për qenushin Puki.
Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e AMK hedhin helm në rrugët e Tiranës për të helmuar kafshët e qytetit.
Banorët ngrenë një tjetër shqetësim në lidhje me hedhjen e këtyre helmeve. Përveç helmimeve të kafshëve të pafajshme, hedhja e tyre në vende publike rrezikon të preket dhe nga fëmijët.
Çfarë do të ndodhte po të bien fëmijë në kontakt me këtë helm të shpërndarë pa përgjegjshmëri në rrugët e kryeqytetit?
Njerëz që paguhen nga taksat e qytetarëve vendosin në rrezik jetën e tyre dhe të kafshëve të qytetit./CNA
