
Vendimi u miratua në Bruksel nga shumica e vendeve anëtare, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia votuan kundër dhe paralajmëruan përplasje ligjore
Vendet e Bashkimit Europian kanë miratuar përfundimisht planin për ndalimin e importeve të gazit rus, duke e bërë ligjërisht të detyrueshme shkëputjen graduale nga një prej furnizuesve kryesorë të energjisë për bllokun europian. Vendimi u mor në një takim të ministrave të çështjeve europiane në Bruksel dhe shënon një hap të rëndësishëm strategjik, gati katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas marrëveshjes, importet e gazit natyror të lëngshëm nga Rusia do të ndalohen deri në fund të vitit 2026, ndërsa furnizimet përmes gazsjellësve do të ndërpriten plotësisht deri më 30 shtator 2027. Në raste të veçanta, afati mund të shtyhet deri më 1 nëntor 2027, nëse një shtet anëtar përballet me vështirësi në sigurimin e rezervave të nevojshme për sezonin dimëror nga burime alternative.
Vendimi u miratua me shumicë të cilësuar, duke kapërcyer kundërshtimin e Hungarisë dhe Sllovakisë, dy vende që vijojnë të mbeten të varura nga energjia ruse dhe që kërkojnë ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën. Hungaria ka paralajmëruar se do ta çojë këtë masë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë të dëmshme për interesat e saj kombëtare.
Para nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia furnizonte mbi 40 për qind të gazit të konsumuar nga Bashkimi Evropian. Sipas të dhënave më të fundit, kjo shifër ka rënë ndjeshëm dhe në vitin 2025 përbënte rreth 13% të importeve të gazit të BE-së.
Me këtë vendim, Bashkimi Europian synon të forcojë sigurinë energjetike, të reduktojë varësinë strategjike nga Rusia dhe të përshpejtojë kalimin drejt burimeve alternative dhe më të qëndrueshme të energjisë.
