Një investigim i thelluar i BBC-së ka zbuluar një praktikë shqetësuese në disa prej kryeqyteteve të jetës së natës në botë: burra që filmojnë në mënyrë të fshehtë gra në ambiente publike dhe më pas i monetizojnë pamjet duke i postuar në YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram.
Videot paraqiten si “walking tours” apo “nightlife content”, por në fakt fokusohen thuajse ekskluzivisht te gratë me fustane ose funde, shpesh të filmuara nga kënde shumë të ulëta ose nga pas, duke ekspozuar pa pëlqim pjesë intime të trupit.
BBC identifikoi mbi 65 kanale online të këtij lloji, me një total prej më shumë se 3 miliardë shikimesh në tre vitet e fundit.
Pamjet janë filmuar kryesisht në qytete si Londra, Oslo, Miami, Bangkok, por një nga qendrat kryesore rezulton Manchesteri.
Në zemër të investigimit del edhe emri i Florjan Rekës, 35 vjeç, me origjinë shqiptare dhe me bazë në Suedi.
Sipas BBC-së:
– Reka drejton një nga kanalet më të mëdha të këtij lloji në YouTube, me rreth 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë.
– Ai ka gjithashtu një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës.
– Kanali i tij është regjistruar si biznes në Suedi, me aktivitet zyrtar “influencer, marketing dhe reklamë”.
– Gjatë një operacioni të fshehtë në Manchester për Halloween, gazetarët e BBC e filmuan Rekën së bashku me vëllanë e tij, Roland Reka, duke regjistruar gra nga kënde të ulëta, ndërsa mbanin kamera në lartësinë e belit duke u shtirur sikur shihnin telefonin.
Investigimi i BBC: Mes burrave që filmonin pa konsensus vajza në
Pas kontaktit të BBC-së, YouTube mbylli dy llogari të lidhura me Florjan Rekën, por disa video të ngjashme mbeten ende aktive në platforma të tjera. Reka nuk pranoi të komentonte për BBC dhe shmangu takimet me ekipin investigativ edhe kur ata udhëtuan në Suedi.
Viktimat dhe pasojat
Një prej grave të filmuara, e identifikuar me emrin e ndryshuar “Grace”, zbuloi vetëm nga BBC se pamjet e saj – të filmuara nga poshtë fustanit – kishin marrë mbi 3 milionë shikime.
“Që atëherë ndihem paranojake sa herë dal nga shtëpia,” tha ajo.
Në shumë prej videove, BBC dokumentoi qindra komente mizogjene dhe degraduese ndaj grave.
Investigimi i BBC: Mes burrave që filmonin pa konsensus vajza në
Ligji dhe reagimet
Në Mbretërinë e Bashkuar, filmimi në hapësira publike nuk është gjithmonë i paligjshëm, por juristët thonë se kjo praktikë bie në një “zonë gri” mes ngacmimit dhe voyeurizmit.
Policia e Greater Manchester arrestoi një person në 2024 për raste të ngjashme, por çështja u mbyll për shkak të boshllëqeve ligjore.
Pas publikimit të investigimit:
– YouTube deaktivizoi dy kanale,
– TikTok hoqi katër llogari,
– ndërsa në Facebook dhe Instagram disa profile vazhdojnë të jenë aktive.
Ekspertët e ekonomisë digjitale vlerësojnë se kjo “industri e filmimit të fshehtë” mund të gjenerojë miliona paund fitime.
Për gratë e filmuara, megjithatë, dëmi është shumë më i thellë se paratë: frikë, turp, pasiguri dhe humbje e ndjenjës së privatësisë në hapësirën publike.
