
Kryeministri Edi Rama mendoi se do ta kalonte me batuta dhe shaka para përfaqësuesve të Komisionit Europian, skandalin e vjedhjes së fondeve bujqësore që Bashkimi Europian i kishte dhënë Shqipërisë për fermerët, por që përfunduan në vila, kulla dhe resorte.
Prej tre vitesh, BE, përmes zyrës së saj hetimore anti-mashtrim OLAF, kërkon shpjegime nga qeveria shqiptare lidhur me shpërdorimin e taksave të qytetarëve europianë, të cilat u dhanë përmes programit “IPARD II” gjatë viteve 2017–2021.
Më 18 shtator 2025, në Shqipëri mbërriti një delegacion i posaçëm i Komisionit Europian për Kontrollin Buxhetor dhe Ndihmat Financiare për vendet jashtë BE-së, i kryesuar nga Niclas Herbst. Misioni i tij ishte ndjekja administrative dhe ligjore e çështjes për fondet e vjedhura nga ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, dhe bashkëpunëtorët e saj.
Delegacioni i BE-së i dorëzoi zyrtarisht qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama një shkresë zyrtare ku përcaktohej përgjegjësia e plotë e qeverisë si administratore e fondeve të BE-së. Aty thuhej se Shqipëria duhet të dëmshpërblejë taksapaguesit europianë për fondet e humbura.Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, nga burime konfidenciale brenda Ministrisë së Financave, delegacioni i BE-së i ka lënë Ramës një “faturë” prej 72 milionë eurosh që qeveria shqiptare duhet ta rimbursojë brenda katër vitesh. Vetëm pasi të shlyhet të paktën 60% e kësaj shume, Komisioni Europian do të zhbllokojë fondet e programit të ri “IPARD III”. Në të kundërt, detyrimi do të konfiskohet nga kreditë ndërkombëtare që merr Shqipëria.
Delegacioni nuk pranoi të takohej me drejtues të qeverisë shqiptare, duke argumentuar se janë përgjegjës për lehtësimin e abuzimeve, për mospërgjigjen ndaj kërkesave të Komisionit Europian dhe për mbrojtjen e zyrtarëve që kanë kryer vjedhjet.Gjatë takimit me drejtuesit e SPAK-ut, përfaqësuesit e Komisionit Europian kërkuan informacion të detajuar për ecurinë e hetimit ndaj Frida Krifcës dhe grupit të saj. Ata kërkuan nga Altin Dumani që hetimet të mos zvarriten më dhe zyrtarët përgjegjës të dalin përpara drejtësisë, mbi bazën e provave që OLAF i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare.