
Marrëveshja e quajtur “nëna e të gjitha marrëveshjeve” krijon një zonë të lirë tregtare që përfaqëson 25 % të PBB-së globale dhe një të tretën e tregtisë botërore
Bashkimi Europian dhe India kanë firmosur këtë të martë në Nju Delhi një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, e cilësuar si një nga paktet më ambicioze ekonomike në nivel global. Marrëveshja u nënshkrua gjatë Samitit BE–Indi 2026, në prani të presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kryeministrit indian Narendra Modi.
Von der Leyen e përshkroi marrëveshjen si “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, duke theksuar se krijon një zonë të lirë tregtare prej rreth dy miliardë banorësh. Sipas saj, kur India ka sukses, bota bëhet më e qëndrueshme, më e begatë dhe më e sigurt, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij partneriteti në një kohë trazirash globale.
Nga ana e tij, Modi e quajti marrëveshjen një mundësi madhore për bizneset në të dyja anët dhe një shembull të qartë bashkëpunimi mes dy ekonomive të mëdha demokratike. Ai theksoi se pakti do të forcojë zinxhirët e furnizimit, do të rrisë investimet dhe do të hapë rrugë të reja për inovacionin.
Marrëveshja BE–Indi përfaqëson rreth 25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto global dhe afërsisht një të tretën e tregtisë botërore. Ajo pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, pasi të përfundojë shqyrtimi ligjor i tekstit, proces që do të zgjasë disa muaj.
Gjatë samitit, palët nënshkruan gjithashtu 13 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi që përfshijnë fusha si mbrojtja, siguria, energjia e pastër, lëvizshmëria, shkenca dhe menaxhimi i fatkeqësive. Për herë të parë, u shpall edhe një partneritet i posaçëm në fushën e mbrojtjes mes Europës dhe Indisë.
Samiti u zhvillua në një moment kyç për rendin global, me tensione tregtare dhe gjeopolitike në rritje. Liderët europianë dhe indianë theksuan se kjo marrëveshje nuk është vetëm ekonomike, por një mesazh i fortë politik për forcimin e multilateralizmit, demokracisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
