
Fondet do të përdoren për zhvillimin e infrastrukturës, energjisë së pastër dhe digjitalizimit, si pjesë e përgatitjeve për integrimin në Bashkimin Europian.
Komisioni Evropian ka miratuar një fond prej 99,3 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një nismë që synon të përshpejtojë procesin e integrimit dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), 46,2 milionë euro nga kjo shumë do të kalojnë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit shqiptar, ndërsa pjesa tjetër do të investohet përmes mekanizmit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) në projekte infrastrukturore e strategjike.
Fondet do të fokusohen në fusha si transporti i qëndrueshëm, energjia e gjelbër, digjitalizimi dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, duke mbështetur përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Komisioni Evropian e ka cilësuar këtë vendim si një vlerësim për përparimin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike e institucionale me Bashkimin Evropian.
Ky financim vjen në një moment kur Brukseli po intensifikon mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përpjekjeve për të afruar rajonin me strukturat dhe politikat e Unionit.