 
        
Reforma përfshin patentat digjitale, ndëshkime ndërkufitare dhe kushte më të rrepta për drejtuesit e rinj në kuadër të strategjisë “Vision Zero”
Bashkimi Evropian ka miratuar një reformë të gjerë në sistemin e patentave me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore dhe reduktimin e numrit të viktimave nga aksidentet. Vitin e kaluar, në vendet anëtare të BE humbën jetën afro 20 mijë persona si pasojë e aksidenteve në trafik.
Pjesë e reformës janë patentat digjitale, ndëshkimet ndërkufitare për shkelësit e përsëritur dhe testet më të rrepta për drejtuesit e rinj. Objektivi afatgjatë i BE-së është arritja e standardit “Vision Zero”, që nënkupton asnjë viktimë apo dëmtim serioz në rrugë deri në vitin 2050.
Sipas të dhënave të fundit, Suedia, Malta dhe Danimarka mbeten vendet me rrugët më të sigurta në Evropë, me mesatarisht 20 deri në 24 vdekje për milion banorë, ndërsa Rumania dhe Bullgaria regjistrojnë nivelet më të larta të fataliteteve – përkatësisht 78 dhe 74 për milion. Gjermania raportoi 33 vdekje për milion, nën mesataren e BE-së prej 45, ndërsa Polonia shënoi përmirësimin më të ndjeshëm që nga viti 2019.
Rregullat e reja parashikojnë kushte më të rrepta për marrjen dhe rinovimin e patentave, si dhe një sistem të bashkërenduar informacioni për shkeljet e rënda. Drejtimi nën ndikimin e alkoolit apo shpejtësia ekstreme do të sjellin ndalim të drejtimit në të gjithë territorin e BE-së, pavarësisht vendit ku është kryer shkelja.
Për drejtuesit e rinj, testet do të përfshijnë trajnime mbi përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, ndërveprimin me këmbësorët, biçiklistët dhe përdorimin e sistemeve ndihmëse të makinës. Gjithashtu, do të aplikohet një periudhë prove dyvjeçare me rregulla më të rrepta dhe mundësi drejtimi të shoqëruar.
Ndryshime ka edhe për shoferët profesionistë: mosha minimale për drejtimin e kamionëve ulet nga 21 në 18 vjeç, ndërsa për autobusët nga 24 në 21 vjeç. Patenta e makinës dhe ajo e motoçikletës do të ketë një afat vlefshmërie deri në 15 vjet, që mund të reduktohet në 10 vjet në vendet ku përdoret edhe si dokument identiteti.
Një tjetër qëllim i reformës është digjitalizimi i patentave dhe harmonizimi i sistemeve ndërmjet vendeve anëtare. Disa shtete, si Bullgaria, janë gati për zbatimin e menjëhershëm, ndërsa vende si Gjermania po punojnë për përmirësimin e softuerëve kombëtarë.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE, ndërsa vendet anëtare kanë tre vjet kohë për t’i përshtatur në legjislacionin kombëtar dhe një vit për zbatimin praktik. Reforma pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të aksidenteve dhe rritje të standardeve të sigurisë në trafikun rrugor evropian.

 
         
         
        