
Parlamenti Europian ka miratuar rregulla të reja për lejet e drejtimit. Kush humb patentën në një shtet të BE, nuk do të mund të drejtojë automjet as në vendin e origjinës, ndërsa po prezantohet edhe patenta digjitale e aksesueshme përmes telefonit.
Një reformë historike pritet të ndryshojë mënyrën se si funksionon sistemi i lejeve të drejtimit në Bashkimin Europian. Parlamenti Europian ka miratuar sot paketën e re ligjore që unifikon patentat në të gjitha shtetet anëtare dhe vendos një standard të përbashkët për dënimet dhe pezullimet.
Sipas vendimit të ri, çdo shofer që humb patentën në një vend të BE për shkelje rrugore, do të ndalohet të ngasë automjet edhe në shtetet e tjera, përfshirë vendin e tij të origjinës. Rregulli synon të shmangë abuzimet e deritanishme, ku drejtuesit e mjetit mund të vazhdonin të qarkullonin lirisht në vende të tjera pavarësisht pezullimit të lejes.
Eurodeputeti italian Matteo Ricci, një nga autorët e reformës, deklaroi se masa e re ka për qëllim forcimin e sigurisë rrugore në një kohë kur në Europë regjistrohen rreth 20 mijë viktima nga aksidentet çdo vit. “Kjo është një reformë e drejtësisë rrugore, për ta bërë ndëshkimin të barabartë për të gjithë,” tha ai pas votimit.
Një tjetër risí është futja e patentës digjitale, e cila do të ruhet dhe menaxhohet përmes telefonit inteligjent. Sipas eurodeputetes Jutta Paulus, kjo është një mënyrë moderne dhe praktike, veçanërisht për të rinjtë që tashmë i kanë të gjitha dokumentet e tyre në pajisjet celulare.
Në kuadër të reformës, do të aplikohet edhe një periudhë prove dyvjeçare për drejtuesit e rinj të automjeteve, duke filluar nga mosha 17 vjeç, në të gjitha vendet e BE.
Pjesë e rregullave të reja janë edhe udhëzimet për trajnime më të thelluara për kursantët, me theks tek rreziqet që lidhen me përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, këndin e verbër dhe respektimin e këmbësorëve e biçiklistëve.
Reforma do të hyjë në fuqi pas miratimit përfundimtar nga Këshilli Europian dhe pritet të zbatohet gradualisht në vitet në vijim. Qëllimi është krijimi i një sistemi të unifikuar, ku shkeljet dhe ndëshkimet të njihen në mënyrë të barabartë në çdo cep të Bashkimit Europian.