
Këngëtarja me famë botërore dhe me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka reaguar plot emocion pas fitores historike të Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë në ndeshjen e zhvilluar në Leskovac, një përballje që u ndoq me tension dhe krenari nga miliona shqiptarë anembanë botës.
Në një postim në Instagram Story, Bebe ka shpërndarë videon e golit të fitores duke shkruar vetëm një fjalë që mjaftoi për të përshkruar ndjenjën e saj: “Yessssssss!”, e shoqëruar me flamurin kuqezi dhe zemra të kuqe.
Reagimi i saj është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku fansat e saj dhe tifozët shqiptarë e kanë përshëndetur për mbështetjen e sinqertë ndaj skuadrës kombëtare.
Në një tjetër moment, artistja ka postuar edhe logon e @albania_national_team, duke treguar se e ka ndjekur ndeshjen me emocion deri në sekondat e fundit. Ky gjest është parë si një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë që Bebe ruan me origjinën e saj shqiptare dhe krenarinë për ngjyrat kuqezi.
Pas fitores madhështore në Leskovac, reagimi i saj është kthyer në një simbol gëzimi për shumë shqiptarë në diasporë, të cilët e kanë konsideruar këtë fitore jo vetëm sportive, por edhe shpirtërore.