 
        
Biznesmeni kosovar është thirrur nga Prokuroria e Tiranës për të dhënë shpjegime mbi procedurat dhe marrëdhëniet mes ortakëve në projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Biznesmeni i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, ku u mor në pyetje për rreth tre orë në kuadër të hetimeve që lidhen me projektin e ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se Pacolli është thirrur për të dhënë sqarime mbi çështje të natyrës kontraktuale dhe bashkëpunimet e tij me kompanitë e tjera që përbëjnë konsorciumin koncesionar të aeroportit. Hetimi, sipas të njëjtave burime, ka për qëllim verifikimin e procedurave financiare dhe marrëdhënieve mes ortakëve të projektit.
Gjatë javëve të fundit, emri i Pacollit është përmendur në disa raportime mediatike që flasin për përplasje të brendshme mes ortakëve të përfshirë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës – një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Pas përfundimit të seancës në Prokurori, Pacolli nuk ka dhënë deklarata për mediat, ndërsa hetimet mbi këtë çështje pritet të vijojnë me thirrjen e personave të tjerë të përfshirë në projekt.

 
         
         
         
         
        