

Valë njohjesh të reja për shtetin e Palestinës janë shpallur mbrëmjen e së hënës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Pas shpalljes historike të presidentit francez Emmanuel Macron, që e cilësoi vendimin si historik dhe kurajoz, rrugën e ndoqën edhe Luksemburgu, Malta, Monako dhe Andorra.
Autoriteti Palestinez e përshëndeti hapin e Francës si një akt historik dhe guximtar, ndërsa përfaqësuesit e Izraelit dhe SHBA munguan në sallë gjatë shpalljeve.
Belgjika, nga ana e saj, ka zgjedhur një qasje të ndërmjetme, duke shpallur për momentin një njohje politike, që sipas kryeministrit Bart De Wever është një sinjal diplomatik i fortë ndaj Izraelit. Por njohja ligjore, ka sqaruar ministri i jashtëm Maxime Prévot, do të vijë vetëm në një fazë të dytë, kur të jenë përmbushur disa kushte: lirimi i pengjeve në Gaza, demilitarizimi i Hamasit dhe grupeve të tjera, si dhe organizimi i zgjedhjeve.
“Ky hap nuk është një shpërblim për Hamasin,” -theksoi De Wever nga podiumi i OKB-së, duke nënvizuar se Belgjika do të përmbyllë njohjen e plotë vetëm kur organizatat e shpallura terroriste të mos kenë rol në qeverisjen palestineze.
Ky zhvillim e vendos çështjen palestineze në qendër të debatit diplomatik botëror, ndërsa gjithnjë e më shumë shtete evropiane po vendosin të mbështesin formalisht aspiratën e palestinezëve për shtetësi.