
Belgjika po shqyrton mundësinë që të ndërtojë ose të marrë me qira një burg jashtë territorit të saj, dhe mediat belge kanë përmendur Kosovën si një nga opsionet e mundshme. Më 6 tetor, ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, qëndruan në Kosovë, ku u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe me ushtruesin e detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, si dhe në Shqipëri.
Në njoftimet zyrtare për media nga këto institucione nuk është përmendur që gjatë takimeve është diskutuar për ndërtimin apo marrjen me qira të ndonjë burgu. Por, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, kjo çështje është përmendur shkurtimisht nga zyrtaret belge – “pa u hapur ndonjë diskutim i detajuar nga pala kosovare”. Pas qëndrimit në dy vendet e Ballkanit Perëndimor, ministrja belge e Drejtësisë, Verlinden, shkroi në Facebook se vendi i saj po shqyrton “mundësinë e ndërtimit të një burgu jashtë vendit për kriminelët e paligjshëm”, por nuk përmendi ndonjë shtet specifik.