Sipas Këlliçit, kreu i grupit parlamentar të PS ka përdorur fyerje dhe kërcënime ndaj deputetëve të opozitës.
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend është shënuar një tjetër debat i ashpër mes maxhorancës dhe opozitës. Deputeti demokrat Belind Këlliçi kërkoi që kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të përjashtohet nga salla pas një përplasjeje verbale me deputetët e PD.
Këlliçi deklaroi se Balla ka përdorur fjalor fyes dhe intimidues ndaj kolegëve të opozitës, duke shkelur rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, Balla ka ofenduar deputetët demokratë duke përdorur shprehje denigruese dhe duke kërcënuar direkt deputetin Klevis Balliu.
“Taulant Balla jo vetëm që iu drejtua deputetëve të opozitës me fyerje, por përdori tone intimidimi dhe arrogancë, duke krijuar tension të panevojshëm në sallë. Në bazë të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj që seanca të ndërpritet dhe ndaj tij të merret masa e përjashtimit”, u shpreh Këlliçi.
Nga ana e tij, Taulant Balla nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës, ndërsa drejtuesi i seancës pritet të shprehet mbi kërkesën e deputetit demokrat.
Përplasjet mes palëve në Kuvend janë bërë të shpeshta në javët e fundit, me akuzat politike që dominojnë debatet parlamentare.
