Ish-ministri i Mjedisit në Kosovë, Liburn Aliu, emërohet drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit, pas një propozimi të Belinda Ballukut dhe me miratimin e kryeministrit Rama
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka prezantuar sot zyrtarisht Liburn Aliun si drejtor të përgjithshëm të Autoritetit Portual të Durrësit. Me këtë akt, konfirmohet lajmi që qarkullonte prej disa ditësh për përfshirjen e ish-ministrit të Mjedisit të Kosovës në një post të rëndësishëm të administratës shqiptare.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Balluku u shpreh se kishte pasur mundësinë ta njihte Aliun në punë vite më parë, kur ai drejtonte dikasterin e mjedisit në qeverinë e Kosovës. “Njerëzit njihen në punë, dhe unë e kam njohur Liburnin si një profesionist serioz dhe të përkushtuar. Ai është arkitekt në profesion, me një karrierë të gjatë politike dhe institucionale në Kosovë,” tha ministrja.
Balluku sqaroi se bisedat për këtë detyrë kanë nisur në fillim të shtatorit, menjëherë pas vendimit të Aliut për t’u tërhequr nga politika aktive dhe për t’u vendosur në Tiranë. “E pyeta nëse do të kishte dëshirë të kontribuonte për Shqipërinë, dhe në të njëjtën kohë për Kosovën. Ai e pranoi menjëherë idenë. Pas kësaj, propozimi iu përcoll kryeministrit Rama, i cili e miratoi menjëherë,” – shtoi ajo.
Sipas Ballukut, emërimi i Liburn Aliut është në vazhdën e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve dhe në përputhje me vizionin e qeverisë shqiptare për përfshirjen e profesionistëve me përvojë nga mbarë hapësira shqiptare.
Aliu pritet të marrë drejtimin e Portit të Durrësit në një periudhë të rëndësishme transformimi, pasi ky port është në fazë të avancuar të projekteve për modernizim dhe zgjerim, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare dhe rajonale.
