Ben Blushi, i ftuar së fundmi në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ka folur jo vetëm për romanin e tij më të ri “Jam Mysliman”, por edhe për rritjen e dukshme të interesit të të rinjve për fenë, një fenomen që sipas tij lidhet drejtpërdrejt me boshllëqet sociale dhe ekonomike të shoqërisë së sotme.
Përballë Arabana Osmani, Blushi shpjegoi se gjatë viteve të fundit ka vënë re një ndryshim të qartë te brezat e rinj dhe se si vajza dhe djem të moshave 20-22 vjeç po tregojnë një prirje më të madhe drejt besimit.
Ndryshe nga sa mund të mendohet, kjo sipas tij nuk lidhet vetëm me bindje të thella shpirtërore, por sipas tij është pasojë e një vakumi të theksuar identiteti e cila vjen për shkak të probleme dhe vështirësive të shumta, duke filluar nga varfëria, rrogat e ulëta, pasiguria në punë, dështimi i familjes dhe pamundësia për të ndërtuar një të ardhme të sigurt.
“Unë mendoj se ka një tendencë në brezat e rinj sidomos, unë shoh që, përshembull vajza 20-vjeç, djem 22-vjeç janë besimtarë më shumë se gjyshërit e tyre para 70-80 vitesh. Nuk më bezdis kjo përderisa ata vishen modernë, vishen normalisht, hanë nuk ka problem. E shoh si një vakum identiteti. Sepse kjo është e rëndësishme ta them.
Pra, ka shumë vajza dhe djem të rinj që janë pak bosh sot, është kohë e vështirë kjo që po jetojmë. Të ishte i varfër para 40 vitesh në Shqipëri nuk kishte problem, ishim të varfër të gjithë. Të jesh i varfër sot, të vish nga provinca mos gjesh një punë, të kesh një dramë familjare, siç kanë shumë familje nga varfëria, mos kesh shpi të mirë, një punë të mirë, martesa jote të dështojë. Njerëzit fillojnë dhe humbin identitet, kalojnë nga dështimi në dështim, ku gjen prehje shpirti i tyre?”, tha Blushi.
Teksa më tej u shpreh se rritja e frekuentimit të kishave dhe xhamive nuk duhet parë vetëm si një zgjedhje shpirtërore, por edhe si një indikator i nivelit të dëshpërimit të shoqërisë.
Ai solli në vëmendje edhe realitetin ekonomik të brezit të ri, ku pagat 600–800 euro janë të pamjaftueshme për të jetuar, për të paguar qira apo për të marrë një kredi, duke e bërë pothuajse të pamundur ndërtimin e një familjeje apo planifikimin e së ardhmes. Në këtë situatë, sipas tij, shoqëria shqiptare ka dështuar t’i mbështesë më të brishtët, duke u fokusuar tek të pasurit dhe duke i lënë pas ata që kanë më shumë nevojë.
Lidhur me romanin Jam Mysliman, autori tha se historia e shkrimtarit që vendos të “përqafojë” Islamin pas një udhëtimi shpirtëror dhe një sërë përjetimesh personale pasqyron pikërisht këto dilema identitare. Personazhi kryesor gjen qetësi dhe kuptim në një moment të jetës kur përjeton trazira të ndryshme, ndërsa në fund zgjedh ta bëjë publik vendimin e tij.
