
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se vendimi për vakancën në Gjykatën Kushtetuese shkel ligjin organik dhe opinionet e Komisionit të Venecias, duke e quajtur atë “akt politik të orkestruar nga mazhoranca”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë Presidentit të Republikës për shpalljen e vakancës në vendin e gjyqtares Sonila Bejtja, duke e cilësuar këtë si një shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se Gjykata Kushtetuese ka shkallmuar ligjin e saj organik për t’i hapur rrugë një vendimi që, sipas tij, ka karakter politik dhe synon largimin e një gjyqtareje që nuk ishte e preferuar nga mazhoranca.
“Dje u shënua një nga ditët më të errëta të drejtësisë shqiptare. Gjykata Kushtetuese vendosi të shkelmojë ligjet e veta dhe opinionet zyrtare të Komisionit të Venecias, duke u bërë notere e veprimeve të paligjshme të mafies politike në sistemin e drejtësisë,” deklaroi Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, dhe presidentin Bajram Begaj për “bashkëpunim në një akt antikushtetues”, duke e përshkruar vendimin si një nga më të turpshmit në historinë e jurisprudencës shqiptare.
Sipas Berishës, përbërja e Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar qartë nga Kushtetuta dhe ligji organik, të cilët parashikojnë përtëritjen e trupës gjyqësore çdo tre vjet me një të tretën e anëtarëve. Ai tha se çdo ndryshim i kësaj procedure duhet të bëhej vetëm nga Parlamenti, e jo përmes interpretimeve të gjykatës.
“Ligji është i qartë. Nëse kishte kundërshti për zbatimin e tij, duhej t’i drejtoheshin Parlamentit, jo ta merrnin në dorë me vendime të manipuluara. Ky është një akt i pastër politik, që synon kapjen totale të drejtësisë,” u shpreh Berisha.
Në përfundim, kreu i opozitës theksoi se Partia Demokratike do të kërkojë transparencë të plotë mbi procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke paralajmëruar publikimin e dokumenteve që, sipas tij, fshihen qëllimisht në sirtarë.