
Ish-kryeministri sjell shembuj nga vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë, duke theksuar se zyrtarët nën hetim pezullohen ose largohen nga detyra; ndryshe nga rasti i Ballukut në Shqipëri.
Sali Berisha, në një deklaratë për median nga selia blu, ka publikuar një listë me emra ministrash europianë dhe zyrtarësh të lartë që janë pezulluar ose kanë dhënë dorëheqjen gjatë hetimeve ndaj tyre. Berisha tha se kjo praktikë është normale në vendet demokratike, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, kryeministri Edi Rama “mbron me çdo kusht” Belinda Ballukun, e cila është nën hetim për çështjen e tunelit të Llogarasë.
Berisha solli një sërë shembuj nga Rumania, Franca, Italia, Belgjika, Kroacia, Spanja, Izraeli, India e deri në institucionet e BE-së, ku ministrat janë pezulluar sapo ka nisur hetimi ndaj tyre. Ai përmendi rastin e ish-kryeministrit rumun Victor Ponta, i cili dha dorëheqjen menjëherë sapo gjykata njoftoi masën ndaj tij, si dhe rastet e ministrave rumunë Dan Shova dhe Elena Udrea, të pezulluar gjatë hetimeve.
Në Francë, Berisha përmendi rastin e ministrit Christian Blanc dhe ish-ministrit Charles Pasqua, të cilëve u pezulluan kompetencat gjatë hetimeve. Ai kujtoi edhe rastin e belgut Willy Claes, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO, i cili u pezullua para dorëheqjes.
Sipas Berishës, këto raste tregojnë se pezullimi i një ministri në hetim është praktikë e zakonshme në vendet demokratike, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, mazhoranca e pengon drejtësinë duke e politizuar procesin dhe duke mbrojtur zyrtarët e akuzuar.
Berisha e cilësoi Ballukun si “mbrojtjen e radhës të Ramës”, duke theksuar se në çdo vend tjetër europian një ministër nën hetim do të ishte pezulluar automatikisht deri në përfundimin e procesit.
