Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët e njësisë 7 në Tiranë, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një nga momentet më kritike të historisë së saj demokratike, duke e cilësuar situatën aktuale si më të keqe se koha e diktaturës. Sipas tij, shteti ka degraduar dhe zgjedhjet janë shndërruar në farsë, ndërsa pushteti po përdoret si mburojë për krimin dhe korrupsionin.
“Ne zhvillojmë këtë takim në një moment vërtet kritik për vendin”, u shpreh Berisha, duke theksuar se prej vitesh opozita përballet me një shtypje dhe me një mekanizëm ku, sipas tij, krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka blerë zgjedhjet dhe se mandatet e marra po përdoren për të mbrojtur aferat dhe abuzimet. “Pas shndërrimit të zgjedhjeve në farsë elektorale, këto mandate përdoren si mburojë e krimit dhe e plaçkitjes”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, zgjedhjet nuk janë manipuluar vetëm në vitin 2025, por që prej vitit 2017. Ai u shpreh i bindur se opozita fitoi zgjedhjet e vitit 2021, por ato u rrëmbyen përmes shpërndarjes së parave publike me qëllime elektorale. “U shpërndanë rreth 130 milionë euro në zona të caktuara, sipas hartës elektorale, për të blerë vota”, tha ai, duke theksuar se kjo praktikë ka shkatërruar besimin e qytetarëve tek vota e lirë.
Në fjalën e tij, Berisha përmendi edhe “Librin e Zi të zgjedhjeve”, i cili sipas tij ka damkosur qeverinë në arenën ndërkombëtare. “Libri i Zi i zgjedhjeve e damkosi Ramën në të katër anët e globit”, u shpreh ai, duke shtuar se me rreth 2 miliardë euro, sipas tij, u asgjësuan zgjedhjet e 11 majit.
Berisha theksoi se një qeveri që nuk del nga zgjedhje të lira nuk ka legjitimitet dhe se qytetarët kanë të drejtë t’i kundërvihen një pushteti të tillë. “Legjitimiteti buron vetëm nga zgjedhjet e lira. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, deklaroi ai.
Ai renditi disa nga shkeljet e rënda gjatë fushatës zgjedhore, sipas tij, si përdorimin e administratës si “polici elektorale”, shpërndarjen e parave për pensionistët në mes të fushatës, aktivizimin e grupeve kriminale në disa qytete dhe dhënien e licencave për kultivimin e kanabisit përtej çdo kufiri ligjor. Berisha kërkoi zgjidhje politike për krizën, duke theksuar se Partia Demokratike nuk e pranon më qeverinë aktuale. “O qeveri teknike, ose përballje. Këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më”, deklaroi ai.
Një tjetër pikë e fortë e fjalimit ishte akuza për “plaçkitjen e qytetarëve”. Sipas Berishës, çdo qeveri që vjedh qytetarët humbet automatikisht legjitimitetin. Ai foli për afera që, sipas tij, arrijnë vlerën minimale prej 12 miliardë eurosh dhe për përdorimin e imunitetit politik për të mbrojtur zyrtarë të lartë nga drejtësia. Duke bërë krahasime historike, Berisha kujtoi edhe ngjarjet e shkurtit 1991, duke theksuar se demokratët kanë kaluar sprova të rënda, por kanë dalë gjithmonë më të fortë. “Ne nuk u përkulëm atëherë dhe nuk do të përkulemi as sot”, tha ai, duke siguruar mbështetësit se beteja për votën e lirë dhe për demokracinë do të vazhdojë.
Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike e sheh këtë moment si një mision historik. “Kemi ardhur në fushëbetejë me të drejtë. Do fitojmë, sepse po luftojmë për votën e lirë dhe për dinjitetin e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi ai.
