Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër lidhur me djegien e bizneseve në tregun e “5 Majit”, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të lidhur me interesat e atyre që ai i quajti “mafia e betonit”.
Berisha: Ndërkohë që qeveria nuk bën asgjë për këto zona të përmbytura, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës. Mijëra e mijëra qytetarë humbasin vendet e punës, bukën e gojës, por qindra mijëra shqiptare që visheshin nga ai treg, për të mos thënë gjysma e shqiptarëve ose më shumë, tani nuk kanë mundësi të vishen, të blejnë rroba ashtu siç ishin. Dhe pse kjo? Sepse do ndërtohen kulla aty, mafia e betonit, kokainës, drogës, i djeg ato për të ndërtuar kulla në atë shesh.
Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas dy ditësh lidhur me zjarrin që shkrumboi dhjetëra biznese në tregun e “5 Majit” në Tiranë, mbrëmjen e 8 janarit.
Sipas policisë, shkak për zjarrin në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike.
Ndërkohë, flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.
Njoftimi i policisë:
Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental.
Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme.
